Lajme
Nesër në Bruksel vazhdojnë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë
Të hënën në Bruksel pritet të takohen Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, paralajmëroi se në këto takime do ta ngrejë çështjen e Asociacionit të komunave serbe, derisa kryeministri Hoti ka thënë se me palën serbe do të dialogojë për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me të Dërguarin Special të Sekretarit të Shtetit të SHBA Mathew Palmer dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-serbi, Mirosllav Lajçak në Bruksel, tha se BE-ja këmbëngul që ajo duhet të drejtojë dialogun politik të Kosovës dhe të Serbisë.
Vuçiq vlerësoi se takimi me Palmer dhe Lajçak ishte i mirë dhe deklaroi se ata diskutuan për “të gjitha temat e rëndësishme dhe si të vazhdohet dialogu nesër”.
Takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy shteteve.
Ndërkaq Ministria e Jashtme e Izraelit, ka njoftuar edhe zyrtarisht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe për hapjen e ambasadës në Jerusalem, dhe për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem.
Ambasada turke në Prishtinë, ka kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.