Lajme

Abrashi: Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë të trajtohet me prioritet

Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi ka vizituar punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, “Rruga e Tre Heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Pajaziti”.

Abrashi tha se ky projekt do të trajtohet me prioritet, ndërsa nga punëkryesit kërkoi dinamikë të shtuar të punimeve.

Nga qytetarët, ministri kërkoi mirëkuptim në procesin e shpronësimit në mënyrë që puna në segmentin e ri të fillojë nga e hëna. Ai tha po ashtu se do të angazhohet personalisht që të eliminohen pengesat e mundshme në këtë proces.

Segmenti Gojbulë-Smrekonicë ka gjatësi 4.55 km. Kostoja e ndërtimit të tij është mbi 13 milionë e 300 mijë euro, përderisa segmenti tjetër Lum i Madh – Gojbulë ka kosto rreth 26 milionë euro.

Financues të këtij projekti janë Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Saudit për Zhvillim dhe Fondi i OPEC për Zhvillim. (KlanKosova)

Related