Mirëqenie

Covid-19 te të rinjtë! OBSH: ‘S’do të vdesin domosdoshmërisht, por është tornado me bisht të gjatë’

Zyrtari më i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Evropë paralajmëroi së fundmi se koronavirusi është një “tornado me bisht të gjatë” dhe se rritja e numrit të rasteve në mesin e të rinjve mund të përhapë masivisht sëmundjen te njerëzit e moshuar dhe të shkaktojë rritje të vdekjeve.

Dr.Hans Kluge tha se të rinjtë kanë të ngjarë të jenë në kontakt më të ngushtë me të moshuarit, teksa moti ftohet në Evropë, duke rritur mundësinë e përhapjes së Covid-19 tek më të rrezikuarit.

“Ne nuk duam të bëjmë parashikime të panevojshme, por kjo është padyshim një nga opsionet – që në një moment do të ketë më shumë shtrime në spital dhe një rritje të vdekshmërisë”, tha ai nga Kopenhagen, selia e OBSH-së në Evropë.

Ai këmbënguli se “askush nuk është i pathyeshëm”, por shtoi se shumica e vdekjeve nga koronavirusi janë midis të moshuarve.

“Me të vërtetë shumë të rinj nuk do të vdesin domosdoshmërisht prej tij, por është një tornado me një bisht të gjatë dhe është një sëmundje që prek shumë organe.”

Kluge tha se vjeshta paraqet një “situatë të ndërlikuar” për shkak të rihapjes së shkollave, fillimit të sezonit të gripit dhe rritjes së vdekshmërisë midis njerëzve të moshuar në muajt e dimrit në përgjithësi. Ai shtoi se mjediset shkollore nuk kanë qenë kontribuesi kryesor në epidemi, por përhapja e sëmundjes ndodh më shpesh në tubime shoqërore sesa në shkolla. (An)

Related