Lajme
IKD: Qytetarët ende nuk janë të informuar për dënimet që parashihen me ligjin e ri
Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 ka hyrë sot në fuqi. Gjithë personat që nuk bartin maska do të dënohen me nga 35 euro, ndërsa ata që nuk e respektojnë orarin me 500 euro.
Edhe bizneset që nuk respektojnë rregullat për distancim social mund të dënohem me 500 euro, ndërsa me 2,000 euro dënohen personat juridik që organizojnë tubime të ndaluara në kohë pandemie.
“Deri më tani qytetarët nuk janë të informuar për obligimet që i kanë në bazë të këtij ligji. Por të informuara nuk janë as organet e rendit dhe organet tjera zbatuese të këtij ligji. Kështu që mbetet obligim i qeverisë që të merr kampanja vetëdijesuese dhe informuese për qytetarët lidhur me obligimet që u jepen përmes këtij ligji e jo vetëm të shkojnë me masa dhe sanksione ndaj atyre që nuk e zbatojnë ligjin”, deklaroi për RTV Dukagjinin Yll Zekaj.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se ky ligj është në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. (D)