“Një ndër arsyet të themi të mos investimeve në shkallën që presim ose do të duhej të ishte në Kosovë, është edhe kjo paqartësia e relacioneve politike në me vende të caktuara të rajonit, sidomos me Serbinë por edhe me Bosnjën në anën tjetër”, thotë ai.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane beson se në Ëashington do të largohen të gjitha problemet politike që përkthehen në probleme ekonomike.
“Përmirësimi i lirisë së lëvizjes së njerëzve, qarkullimit të mallërave, shërbimeve dhe kapitalit e pastaj palët nëse arrijnë një marrëveshje të tillë natyrisht që do të përfitonin edhe atë që është premtuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara e që është financimi i projekteve qoftë individuale të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, qoftë projekteve të përbashkëta ndërshtetërore”, thotë ai.
Ata thonë se projekte të tilla janë në funksion edhe të rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës nga pasojat e pandemisë COVID-19, ndërkaq përfshirjen e Shteteve të Bashkuara e shohin si një lloj garancie për zbatim të cfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet.
“Ne e shohim këtë proces të bashkëpunimit rajonal edhe të kësaj klimës më të mirë për investime që duhet të krijohet edhe si nevojë për t’i adresuar problemet që i ka shkaktuar pandemia. Ne si institucion kemi propozuar projekte të bashkëpunimit rajonal si lidhje të rëndësishme me porte apo hekurudha apo rrugë të rëndësishme ndërkombëtare si një shtyllë e rëndësishme e rimëkëmbjes ekonomike”, thotë zoti Rukiqi.
“Jo vetëm përfshirja e Shteteve të Bashkuara por edhe vet lokacioni në të cilin synohet të arrihen këto marrëveshje mendoj se do ta rrisë nivelin e seriozitetit dhe përfundimisht do të bëj që palët të qëndrojnë prapa zotimeve të tyre. Po flasim për një institucion si Shtëpia e Bardhë ku megjithatë ajo cfarë palët do të japin si zotim formal besoj që do të ketë rëndësinë për zbatimin e tyre në të ardhmen. Kjo pa e zvogëluar rëndësinë e selisë së Bashkimit Evropian që është Brukseli”, thotë zoti Zeka.
Përfaqësimi në delegacionin për bisedimet me Serbinë
Kryeministri Hoti tha se qeveria është duke bërë përgatitjet dhe ekipin për takimin në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se ky takim është i rëndësisë së lartë shtetërore ndërsa bëri thirrje për përfshirjen e të gjitha subjekteve politike në delegacionin e Kosovës për këto bisedime.
“Është një takim që ne e kemi pritur tash e sa kohë. Unë sot kam dërguar letra edhe te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas edhe në takimin e ardhshëm të paraparë për në fillim të shtatorit në Bruksel”, tha kryeministri Hoti.
Lëvizja Vetëvendosje konfirmoi ndërkaq letrën e dërguar nga kryeministri Avdullah Hoti për të marrë pjesë në takimin e katër shtatorit në Shtëpinë e Bardhë dhe në Bruskel.
Nëpërmjet një reagimi, kjo lëvizje tha se nuk do të marrë pjesë në këto takime ndërsa e quajti qeverinë si jolegjitime dhe jolegale.
“Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator. (LN)