Lajme

Zemaj: Së shpejti me udhëzues se ku nuk duhet të bartet maska

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se institucionet shëndetësore po bëhen gati që vala e dytë e paralajmëruar nga vjeshta të mos i gjejë pa përgatitur.

“Jemi në përgatitje të sezonit vjeshtor edhe me vaksina, ashtu edhe me kapacitete spitalore që vjeshta dhe dimri të mos na gjejnë të papërgatitur për menaxhimin me COVID-19”, ka thënë Zemaj.

Në kuadër të këtyre përgatitjeve ministri tha se së shpejti do të dalin me një udhëzues për institucionet e vendit, ku do të tregohet qartë se ku është obligative bartja e maskave dhe ku jo.

“Ministria e Shëndetësisë do t’ua ofrojë institucioneve të rendit një udhëzues praktik për vendet ku është e nevojshme të vendoset maska dhe ku jo, për të lehtësuar punën e tyre, por edhe për të ruajtur qytetarët nga dënimet, pasi ka pasur vlerësime dhe ankesa që duhet të saktësohet kjo dhe qytetarët të njoftohen rreth detyrimeve që kanë rreth bartjes së maskave”, tha Zemaj në një konferencë për media.

Related